Manja slova Veća slova RSS

Biro

>

Pravila za prve izbore savjeta (albanski jezik)

Datum objave: 24.03.2008 12:25 | Autor: Pravila za prve izbore Savjeta i upustvo o jedinstvenim obrazcima za sprovođenje izbora za članove Savjeta

Ispis Štampaj stranicu


Në bazë të nenit 33 paragrafi 7 të Ligjit mbi të drejtat dhe liritë e pakicave (Gazeta zyrtare e RMZ, nr. 31/06, 51/06 dhe 38/07), Ministria për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të pakicave miraton


RREGULLAT
PËR ZGJEDHJET E PARA TË KËSHILLIT


Neni 1

Me këto rregulla përcaktohet numri dhe mënyra e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të pakicës gjegjëse. Këshilli zgjedhet mbi parimet e vullnetit të lirë, zgjedhshmërisë dhe demokracisë.


PËRBËRJA DHE NUMRI I ANËTARËVE TË KËSHILLIT

Neni 2

Këshillin e përbëjnë anëtarët sipas funksionit dhe anëtarët e zgjedhur në kuvendin elektoral të pakicës gjegjëse.
Anëtarë të Këshillit në bazë të funksionit janë: deputetët nga lista e pakicës, anëtarët e Qeverisë të cilët i propozojnë përfaqësuesit e listës së pakicës, kryetarët e komunave në të cilat pakica ka mazhorancën dhe deputetë të tjerë dhe anëtarë të Qeverisë si dhe kryetarët e komunave nga pakica gjegjëse, që dëshirojnë, kryetarët e partive parlamentare të pakicës, si dhe kryetarët e klubeve të këshilltarëve të partive të pakicës.

Neni 3

Ato pakica të cilat në përqindjen e përgjithshme të popullsisë së Malit të Zi sipas rezultateve të regjistrimit të fundit të popullsisë përbëjnë deri në 3% formojnë Këshillin prej 17 anëtarësh.
Ato pakica të cilat në përqindjen e përgjithshme të popullsisë së Malit të Zi sipas rezultateve të regjistrimit të fundit të popullsisë përbëjnë 3% deri 5% formojnë Këshillin prej 25 anëtarësh.
Ato pakica të cilat në përqindjen e përgjithshme të popullsisë së Malit të Zi sipas rezultateve të regjistrimit të fundit të popullsisë përbëjnë mbi 5% formojnë Këshillin prej 35 anëtarësh.


ZGJEDHJA E ANËTARËVE TË KËSHILLIT SIPAS FUNKSIONIT

Neni 4

Pas arritjes së iniciativës për thirrjen e kuvendin elektoral nga neni 5 paragrafi 1 i këtyre Rregullave, Ministria për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të pakicave (më tej në tekst: Ministria), në afatin kohor prej 15 ditësh i informon anëtarët e Këshillit sipas funksionit mbi iniciativën e arritur.
Anëtarët sipas funksionit i paraqesin Ministrisë, në afatin prej 10 ditësh nga dita e pranimit të informacionit, deklaratën me shkrim dhe dëshminë e zgjedhjes për deputet, anëtar të Qeverisë, kryetar të komunës, kryetar të partisë parlamentare të pakicës gjegjëse ose të kryetarit të klubit të këshilltarëve të partisë së pakicës.
Në qoftë se anëtari i Këshillit sipas funksionit nuk ia ofron Ministrisë, në afatin e paraparë, deklaratën nga neni 2, do të konstatohet se ai nuk e pranon anëtarësinë në Këshill.


THIRRJA E KUVENDIT ELEKTORAL

Neni 5

Iniciativën për thirrjen e kuvendit zgjedhor, me një kërkesë me shkrim, mund ta bëjnë:
1) së paku pesë pjesëtarë të pakicës që kanë të drejtë që të zgjedhen në kuvendin elektoral të pakicës përkatëse, përqindja e së cilës sipas rezultateve të regjistrimit të fundit të popullsisë nuk i kalon 3% e numrit të përgjithshëm të banorëve;
2) së paku shtatë pjesëtarë të pakicës që kanë të drejtë që të zgjedhen në kuvendin elektoral të pakicës përkatëse, përqindja e së cilës sipas rezultateve të regjistrimit të fundit të popullsisë është nga 3% deri 6% o e numrit të përgjithshëm të banorëve;
3) së paku dymbëdhjetë pjesëtarë të pakicës që kanë të drejtë që të zgjedhen në kuvendin elektoral të pakicës përkatëse, përqindja e së cilës sipas rezultateve të regjistrimit të fundit të popullsisë është mbi 6% o e numrit të përgjithshëm të banorëve;

Krahas iniciativës nga paragrafi 1 i këtij neni, secili kandidat duhet të paraqesë:
1. deklaratën me shkrim me të cilën e pranon kandidaturën për anëtar të kuvendit elektoral,
2. çertifikatën mbi të drejtën për zgjedhje,
3. deklaratën mbi përkatësinë nacionale,
4. numrin e nevojshëm të nënshkrimeve të përfaqësuesve të asaj pakice me të drejtë për zgjedhje, që e përkrahin kandidimin e tij për anëtar të kuvendit elektoral.

Neni 6

Ministria pranon iniciativa sipas nenit 5 të këtyre Rregullave dhe në afatin prej 30 ditësh cakton datën dhe vendin e mbajtjes së kuvendit elektoral. Kuvendi elektoral do të mbahet në afatin që nuk mund të jetë më i shkurtër se 30 ditë dhe as më i gjatë se 120 ditë nga dita e marrjes së vendimit sipas paragrafit 1 të këtij neni.
Data dhe vendi i mbajtjes së kuvendit elektoral publikohet në mjetet e informimit publik duke u bërë thirrje publike të gjithë kandidatëve që në afatin e paraparë ta dorëzojnë dokumentacionin sipas nenit 8 të këtyre Rregullave për të marrë pjesë në kuvendin elektoral.

Neni 7

Nëse iniciativa e ofruar i përmbushë kushtet sipas nenit 5 të këtyre Rregullave, Ministria merr vendim mbi miratimin e iniciativës për thirrjen e kuvendit elektoral.
Në qoftë se iniciativa e ofruar përmban mangësi të caktuara, Ministria do tu japë parashtruesve të saj një afat prej 48 orësh që ti mënjanojnë mangësitë.
Nëse parashtruesit e iniciativës nuk i kanë mënjanuar mangësitë në afatin e paraparë, Ministria, me një vendim, do të refuzojë iniciativën e tyre.

Neni 8

Të drejtën për të qenë i zgjedhur e ka çdo qytetar i cili deklarohet si pjesëtar i pakicës përkatëse dhe kandidaturën e tij e përkrahin:
1) 30 nënshkrime të pjesëtarëve të pakicës përkatëse me të drejtë votimi, për pakicën e cila në numrin e përgjithshëm të banorëve nuk i tejkalon 3% sipas rezultateve të regjistrimit të fundit të popullsisë;
2) 60 nënshkrime të pjesëtarëve të pakicës përkatëse me të drejtë votimi, për pakicën e cila në numrin e përgjithshëm të banorëve përbën 3% deri 5%, sipas rezultateve të regjistrimit të fundit të popullsisë;
3) 100 nënshkrime të pjesëtarëve të pakicës përkatëse me të drejtë votimi, për pakicën e cila në numrin e përgjithshëm të banorëve i tejkalon 5% sipas rezultateve të regjistrimit të fundit të popullsisë;
Krahas nënshkrimeve sipas paragrafit 1 të këtij neni, personi i cili ka të drejtë për të qenë i zgjedhur, Ministrisë i paraqet edhe:
- deklaratën mbi pranimin e kandidaturës për anëtar të kuvendit elektoral
- deklaratën mbi përkatësinë nacionale dhe
- çertifikatën mbi të drejtën e pjesëmarrjes në zgjedhje.

Neni 9

Pjesëtari i pakicës gjegjëse, duke plotësuar dhe nënshkruar, mund të përkrahë vetëm një kandidaturë.

Neni 10

Pas publikimit në mjetet e informimit publik të vendimit mbi caktimin e datës dhe vendit të kuvendit elektoral, pjesëtarët e pakicave të cilëve u është drejtuar thirrja publika sipas nenit 6 paragrafi 3 i këtyre Rregullave i paraqesin Ministrisë dokumentacionin sipas nenit 8 të këtyre Rregullave, më së voni shtatë ditë para mbajtjes së kuvendit të elektorëve.
Ministria u dërgon ftesë me shkrim, për kuvendin elektoral, të gjithë kandidatëve që kanë paraqitur fletëparaqitje të plota.


MËNYRA E PUNËS SË KUVENDIT ELEKTORAL

Neni 11

Kuvendi elektoral mund të mbahet veç nëse në të janë të pranishëm më shumë se gjysma e elektorëve që i ka thirrur Ministria.



Neni 12

Punën e kuvendit elektoral deri në zgjedhjen e kryetarit të kuvendit elektoral e drejton anëatari më i moshuar, kurse atij në punë i ndihmon anëtari më i ri.

Neni 13

Kuvendi elektoral punën e vet e fillon me verifikimin e pranishmërisë së elektorëve në bazë të listës së elektorëve që e jep Ministria.
Pas verifikimit të pranishmërisë së numrit të elektorëve, kuvendi elektoral e vazhdon punën e vet duke zgjedhur kryesinë e punës (5 anëtarë) dje anëtarët e komisionit zgjedhor (3 anëtarë).

Neni 14

Parashtruesi i iniciativës për thirrjen e kuvendit elektoral është i obliguar që të përgatisë Propozimin e rendit të ditës dhe Propozimin e rregullores së punës së kuvendit elektoral.

Neni 15

Kuvendi elektoral vendos publikisht, me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm.
Mbi zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të pakicës gjegjëse, kuvendi elektoral vendos me vota të fshehta.
Kuvendi elektoral mund të vendosë me vota të fshehta edhe mbi çështje të tjera, në qoftë se ashtu vendosë.

ZGJEDHJA

Neni 16

Kuvendi elektoral merr vendim mbi numrin e anëtarëve që zgjedhen në Këshillin e pakicës gjegjëse.
Numri i anëtarëve që zgjedhen në kuvendin elektoral konstatohet me marrjen e numrit të kandidaturave të pranuara të anëtarëve të Këshillit sipas funksionit prej numrit të paraparë si numri i përgjithshëm i anëtarëve të Këshillit të pakicës gjegjëse.

Neni 17

Të drejtë kandidimi për anëtar të Këshillit kanë së paku dy anëtarë të kuvendit elektoral.
Anëtari i kuvendit elektoral mund të mbështesë vetëm një kandidat për anëtar të Këshillit.
Komisioni zgjedhor konstaton listën e kandidatëve për anëtarë të Këshillit.
Renditja e kandidatëve në listë konstatohet sipas rendit alfabetik të emrave të kandidatëve..
Elektorët votojnë me vota të fshehta, duke rrumbullakësuar më së shumti aq kandidatë sa zgjedhen për anëtarë të Këshillit.
Komisioni zgjedhor e njofton kuvendin elektoral me rezultatet e votimit.
Secili kandidat për anëtar të Këshillit gëzon të drejtën për të shikuar materialin e votimit.
Materiali i votimit ruhet në arkivën e Këshillit.

Neni 18

Në qoftë se një anëtarit të Këshillit i pushon funksioni në bazë të të cilit është bërë anëtar i Këshillit, ose në qoftë se ai jep dorëheqje në atë funksion, në vend të tij vjen personi që është zgjedhur në atë funksion nëse është pjesëtar i së njëjtës pakicë dhe e pranon anëtarësinë në Këshill ose personi me më shumë vota në kuvendin elektoral, por të pamjaftueshëm për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit.
Në qoftë se anëtari i Këshillit sipas funksionit jep dorëheqje nga anëtarësia në Këshill, vendin e tij e zë personi me më shumë vota në kuvendin elektoral, por të pamjaftueshëm për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit.
Në qoftë se anëtari i Këshillit i zgjedhur në kuvendin elektoral jep dorëheqje nga anëtarësia në Këshill, vendin e tij e zë personi me më shumë vota në kuvendin elektoral, por të pamjaftueshëm për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit.


KUVENDI I JASHTËZAKONSHËM ELEKTORAL

Neni 19

Në qoftë se personat që kanë të drejtë që të zgjedhen, ndërsa numri i të cilëve është më i madh se gjysma e kandidatëve që kanë marrë pjesë në punimet e kuvendit elektoral, kërkojnë me shkrim thirrjen e kuvendit të jashtëzakonshëm të elektorëve, Ministria, konform dispozitave të këtyre Rregullave, cakton datën dhe vendin e kuvendit të jashtëzakonshëm elektoral.
Me zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit të pakicës gjegjëse në kuvendin e jashtëzakonshëm të elektorëve pushon mandati i anëtarëve të zgjedhur më parë të Këshillit.
Kuvendi i jashtëzakonshëm elektoral nuk mund të thirret para se të kalojë afati prej një viti nga zgjedhja e anëtarëve të Këshillit të pakicës përkatëse.

Neni 20

Në qoftë se Këshilli në afatin prej gjashtë muajsh nga konstituimi i vet nuk e miraton statutin dhe rregulloren mbi punën e vet, Ministria do ta shpërndajë Këshillin ekzistues dhe do të shpallë zgjedhjet për Këshill të ri.


Hyrja në fuqi
Neni 21

Këto Rregulla hyjnë në fuqi ditën e tetë nga dita e publikimit në Gazetën zyrtare të Republikës së Malit të Zi.